Kuqezinjtë luajnë një ndeshje me shumë rëndësi në Ligën e Kombeve, me synimin për të mbyllur me sukses grupin C1. Ramadani mungon për shkak kartonësh dhe Muçi për arsye dëmtimi, ndërsa Juljan Shehu dhe Hoxha e nisin nga minuta e parë si titullarë.

Shqipëria zbret sot në fushë për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Përballë është Bjellorusia, në ndeshjen e fundit të grupit C1, ku skuadra e drejtuar nga Rolando Maran kërkon të konfirmojë ecurinë pozitive dhe të përfundojë misionin e nisur në këtë kompeticion.

​Kuqezinjtë vijnë në këtë takim në krye të grupit me 9 pikë dhe tashmë çdo detaj merr rëndësi të veçantë. Përballja me Bjellorusinë kërkon përqendrim maksimal, pasi objektivi është që Shqipëria të mos e lërë në dorën e të tjerëve fatin e saj në këtë garë.

​Për këtë takim, trajneri Maran ka bërë të ditur edhe 11-shen zyrtare, me disa ndryshime të detyruara në formacion. Ylber Ramadani mungon për shkak të kartonëve, duke i hapur rrugën Juljan Shehut për të marrë një vend në qendër të mesfushës, përkrah Kristjan Asllanit. Një dyshe që ka përgjegjësi të rëndësishme në organizimin e lojës dhe mbrojtjen e ekuilibrit të skuadrës.

​Po ashtu, Ernest Muçi nuk ia ka dalë të rikuperohet nga problemet fizike dhe mbetet jashtë kësaj përballjeje. Vendin e tij në repartin ofensiv e merr Hoxha, i cili luan nga minuta e parë përkrah Laçit, me Rey Manajn në majën e sulmit.

​Sipas rreshtimit zyrtar, Shqipëria zbret në fushë me skemën 3-4-2-1. Berisha është në portë, ndërsa treshja e mbrojtjes përbëhet nga Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj.

Hysaj në krahun e majtë dhe Pilo në të djathtin kanë detyra të dyfishta, si në mbrojtje, ashtu edhe në mbështetjen e sulmit. Në qendër të mesfushës luajnë Shehu dhe Asllani, ndërsa Hoxha dhe Laçi mbështesin Manajn, që është pika e referimit në repartin ofensiv.

FORMACIONET ZYRTARE

Bjellorusia: Lapoukhov, Begunov, Volkov, Gomanov, Pechenin, Selyavam Ebong, Lukashov, Kontsevoy, Shumansky,Barkocskiy; Trajner: Viktor Gancharenko;

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Pilo, Shehu, Asllani, Hysaj, Laçi, Hoxha, Manaj; Trajner: Rolando Maran;