Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka publikuar një mesazh zanor të Edi Ramës, në të cilin kryeministri shprehet kundër kërkesave për punësime nepotike. Por, në pamjet ku Sula tregon telefonin për të dëshmuar komunikimin me Ramën, shfaqet edhe një mesazh që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si bëhen emërimet në administratë: “Merre e thuaji me mori shefi, ty të takon dhe je shqetësuar kot”.
Numri i telefonit që shfaqet në ekran, ‘+355 69 473 8962’, përputhet me kontaktin e publikuar për Anila Kapidanin në faqen zyrtare të Këshillit Bashkiak Durrës. Kapidani, ish-anëtare e Këshillit Bashkiak, është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës më 17 gusht, në një kohë që përkon me komunikimin e publikuar nga Dashnor Sula në emision.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si bëhen emërimet në administratën publike, ndërsa Rama deklaron publikisht se është kundër punësimeve nepotike dhe se postet duhet t’u takojnë personave që i meritojnë.
Ndërsa kryeministri flet për meritokraci, mesazhi i shfaqur në telefon dhe rasti i emërimit në AKU Durrës ngrenë pikëpyetje mbi kriteret që përcaktojnë se kush merr një post drejtues në administratë.
A bëhen emërimet mbi bazën e meritës dhe konkurrimit të drejtë, apo me ndërhyrje nga lart?
Pamjet janë marrë nga emisioni informativ “Breaking”, i transmetuar në Top News, nën moderimin e gazetares Jetona Koçibelli.



























